Salla e mbushur me afro 2500 tifozë i dha kësaj ndeshje edhe më shumë hijeshi, teksa Plisat dhuruan një atmosferë impozante gjatë tërë takimit për t’i dhënë një shembull të mirë zyrtarëve të lartë të FIBA-s që ishin të pranishëm.
Mysafirët e nisën lojën me një seri 0-5, mirëpo kjo gjë vetëm se i ndezi edhe më shumë Bardhekaltërit, të cilët e përmbysën këtë epërsi përmes tandemit Dardan Berisha-Edin Bavcic, të cilët me aksionet e tyre i siguruan Prishtinës një epërsi prej 12 pikëve në përmbyllje të kësaj periudhe, 24-12.
Në çerekun e dytë loja e Prishtinës u zbeh paksa për shkak të shumë topave të humbur në sulm, mirëpo trajneri Ilievski bëri disa ndryshime taktike që dolën të jenë të qëlluara, pasi që Bardhekaltërit e ngritën epërsinë e tyre në 16 pikë(41-25), në fund të pjesës së parë.
Çereku i tretë ishte monumental për Bardhekaltërit, të cilët thjeshtë i shkelën kundërshtarët si me lojë ashtu edhe me rezultat(70-39), ndërsa Dardan Berisha u përkujdes për atmosferën në sallë me trepikëshat e tij të zjarrtë.
Cereku i fundit u zhvillua vetëm sa për hir të protokollit sepse ndeshja veç kishte përfunduar më herët pas epërsisë së lartë të bardhekaltërve, ndërsa rezultati përfundimtar i takimi ishte 85-61.
Më i dalluari në këtë ndeshje ishte Edin Bavcic me double-double (25 pikë e 12 kërcime), ndërsa kontribut të madh dha edhe Dardan Berisha me 17 pikë, 9 kërcime dhe 6 asistime.
Ndeshja e dytë gjysmëfinale, do të zhvillohet me 8 prill në Maqedoni.


.jpg)
0 comments:
Post a Comment